
I prezantuar në vitin 2009 Cruze është bërë modeli më i suksesshëm i Chevrolet-it, i cili deri në tremujorin e parë të vitit 2012, është shitur në mbi 1.3 milionë copë. Me ardhjen e versionit të shumëpritur karavan, Chevrolet do të ofrojë një veturë e cila në mënyrë të posaçme do t’ju pëlqejë familjeve dhe atyre me stil aktiv të jetës.
Po aq elegant sikurse ‘kushërirat’ e tij
Chevrolet Cruze karavan vazhdon me filozofinë sportive të dizajnit i pranishëm edhe te ‘kushërirat’ e tij, Cruze në versionin limuzinë me 5 dyer. Qëndrim të fuqishëm që është tipik për karavanët, edhe më shumë janë potencuar me qëndrimin ‘rrotat jashtë, karroceria brenda”, vijat e fuqishme të kulmit, parmakët e kulmit të hollë dhe të gjitha këto kontribuojnë në stilin sportiv të veturës.
Në bazë të rrjetës dypjesëshe me kravatën flutur të artë të vendosur në mes, menjëherë është e qartë se karavani vjen nga Chevrolet. Nga risitë në dizajn për Cruze për vitin 2013, janë pjesa katrore përpara me hapje për ajër. Mbrojtësi i përparmë i përmirësuar me dritat e mjegullës që janë të vendosura në shtëpiza me dizajn të ri, i japin veturës një pamje më të ashpër dhe më sportive.
Hapësirë e madhe në brendi dhe bagazh
Cruze karavan ofron hapësirë të madhe për pasagjerë dhe bagazh. Bagazhi është i gjatë 1.024 mm dhe në konfigurimin bazë ofron mundësinë e vendosjes deri në 500 litra bagazh, ndërsa kur palosen ulëset prapa, ofrohet kapaciteti prej 1.478 litrave deri në kulm.
Ulëset janë tejet të rehatshme dhe me dimensione të mjaftueshme për persona me gjatësi të madhe, ndërsa si në pjesët e ulëseve, ashtu edhe në pjesët e dyerve, gjenden xhepa të ndryshëm për vendosjen e gjësendeve.
Brenda gjendet sistemi i ri multimedial-informativ i Chevrolet-it, MyLink, i cili përfshin ekranin 7 inç i ndjeshëm në prekje dhe me rezolucion të lartë, i vendosur në pjesën qendrore. Në pllakën e instrumenteve gjenden edhe portat kyçe për USB dhe Aux. Modelet e pajisura me sistemin Start/Stop, vijnë edhe me ekranin me përzgjedhës, i cili ndihmon gjatë vozitjes ekologjike.
Pajisjet për ruajtjen masive të të dhënave, siç janë MP3, iPod, iPad dhe të ngjashëm, mund të lidhen me MyLink përmes USB apo Bluetooth. Gjashtë zmadhues zëri ofrojnë kualitet të lartë të zërit për të gjithë pasagjerët. Kamera e pasme do të jetë standarde te modelet me MyLink.
Ofertë e avancuar e motorëve
Nën kapakun e motorëve, përveç versioneve tashmë të ofruara 1.6 dhe 1.8-litërsh benzinë si dhe 2.0 litërsh me naftë, tani do t’u bashkohet edhe motori 1.4 litërsh benzinë me turbo-mbushës dhe ai 1.7 litërsh me naftë. Motori benzinë 1.4 litërsh me turbombushës, ofron performanca të barabarta me motorë me kapacitet më të madh, ndërsa me këtë rast harxhon shumë më pak karburant dhe emeton nivel më të vogël të gazrave të dëmshme. Me transmisionin manual me 6 shpejtësi, ai zhvillon 140 kuaj fuqi dhe moment rrotullimi prej 200 Nm.
Ky motor në shikim të parë i vogël, mundëson që përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, ta arrijë për vetëm 9.5 sekonda, derisa shpejtësia maksimale është e kufizuar në 220 km/h. Sa u përket harxhimeve, në vozitje të kombinuar motori 1.4 litërsh benzinë me turbo-mbushës, harxhon 5.7 litra dhe emeton 134 g CO2 për km.
Motori me naftë 1.7 litërsh i cili është i pajisur me turbo-mbushës me ftohje të ajrit, sistemin Start/Stop dhe timonin servo elektronik, jep 130 kuaj fuqi, përshpejtimin nga 0 në 100 km/h e arrin për 10.4 sekonda, shpejtësinë maksimale 200 km/h dhe harxhimet për vozitje të kombinuar, nuk e tejkalojnë 4.5 litra për 100 km/h. Edhe sistemi i sigurisë është i nivelit më të lartë, duke përfshirë shumë air-bag, ABS, ISOFIX etj.